Djali i Thaçit: Bab, sot e kësaj dite më ndalet zemra kur të shoh duke shpallë Kosovën shtet
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi ka bërë një urim të veçantë për 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ai ka publikuar në Instagram videon e Thaçit duke e shpallur Kosovën shtet.
Endriti ka thënë se i ndalet zemra sa herë e sheh këtë video.
“Bab, sot e kësaj dite më ndalet zemra kur të shoh duke shpallë Kosovën shtet. Mu sikurse mu pat ndal më 17 shkurt 2008, kur dole nga banesa për këtë ditë historike, derisa jashtë e bëre në epokë të jashtëzakonshme. Faleminderit që na solle lirinë dhe pavarësinë bashkë me shokët e tu. Urime Pavarësinë”, ka shkruar Endriti.
Disa nga liderët politikë që gjenden në paraburgim në Hagë, ishin pjesë e shpalljes së saj më 17 shkurt 2008. Por, edhe sivjet Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën dhe krerët e organizatës së OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj kjo festë po i gjen larg vendit dhe familjes.
Ky është viti i dytë që Thaçi dhe të tjerët e festojnë ditën e Pavarësisë në Hagë.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata u lexua nga kryeministri i atëhershëm i vendit Hashim Thaçi dhe me pas u votua nga deputetet dhe u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm i vendit Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryetari kuvendit Jakup Krasniqi si dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës se Kosovës./21Media