Policia në vend të personave të kërkuar, gjen armë, drogë e aparate të kriptovalutave

Si rrjedhojë e hetimeve për rastin e ndodhur më 20 shkurt 2022 në Mitrovicë Jug, ku dyshohet për veprat penale: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe “Armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës”, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, kanë siguruar informacione se të dyshuarit janë duke u fshehur në tri lokacione të ndryshm, lokacione këto në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë (DRP) Mitrovicë Veri.
Gjatë kontrollimit, të dyshuarit e kërkuar nuk janë gjetur por, në këto lokacione janë gjetur armë, drogë e aparate të kriptovalutave.
“Gjatë kontrollit në njërin prej lokacioneve, hetuesit kanë gjetur një pushkë automatike, dy fishekë, një radio për komunikim ,,Motorola”, sasi të substancave narkotike si dhe katër aparate për kriptovaluta. Të gjitha gjësendet e gjetura janë konfiskuar në cilësi të provave materiale. Në lidhje me provat materiale, në cilësi të personit të dyshuar është duke u intervistuar një person mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Polciisë.
Në konsultim me prokurorin, rastet “Armëmbajtje pa leje” dhe “Posedim i substancave narkotike” do të hetohen nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ndërsa aparatet për kriptovaluta janë konfiskuar nga ana e njësive të DRP Mitrovicë Veri, e cila drejtori edhe do të procedojë tutje më këtë rast./21Media

Back to top button