Berisha thotë se sulmet ndaj policisë ishin të planifikuara
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Bekë Berisha ka thënë se sulmet ndaj policisë së Kosovës janë përgatiur më herët.
Ai në një postim në Facebook iu ka bërë thirrje insitucioneve të Kosovës të jenë vigjilente.
“Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojne vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës. Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit.”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Ndërkohë që ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të mos panikohen.
“Por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë.Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut.”, ka përfudnuar Berisha.
Sot në një konferencë për media, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare, janë sulmuar në mëngjesin e së premtes. Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se që nga data 13 prill janë bërë katër sulme ndaj Policisë së Kosovës./21Media