Bislimi kërkon ndihmën e Çekisë për liberalizimin e vizave
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka takuar sot zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Martin Dvorak, me të cilin ka diskutuar mbi progresin e Kosovës dhe prioritetit ndaj agjendës evropiane.
Bislimi gjithashtu ka kërkuar mbështetjen e Çekisë si kryesuese e ardhshme e Presidencës së BE-së ndaj aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Liberalizimi i vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës kërkojnë mbështetje të gjerë për t’u përfunduar suksesshëm si proces, në koordinim dhe me angazhimin e plotë të Qeverisë. Gjithashtu, objektivi për aplikim për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, gjatë pjesës së dytë të vitit, përkon me Republikën Çeke si kryesuese e Presidencës në Këshillin e BE, andaj kërkova mbështetjen e tyre në këtë hap të rëndësishëm që do të ndërmarrë Kosova, në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai në “Facebook”./21Media