Kurti ftohet në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, i përgjigjet me një letër!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë ftesë nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Kurti i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Kovaçevski me një letër, në të cilën ka shkruar se Kosova është e angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.
“Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Kurti në letrën e tij sipas njoftimit të Qeverisë.
Tri vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë pjesë e Ballkanit të Hapur, ndërsa Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe deri më tash, Mali i Zi, e kishin refuzuar./21Media

Back to top button