Rusia akuzon Ukrainën për sulm me raketa
Të paktën tre persona u vranë dhe dhjetëra ndërtesa banimi u shkatërruan në qytetin rus të Belgorod pranë kufirit me Ukrainën. Lidhur me këtë ka pretendime kontradiktore nga Rusia dhe Ukraina.
Një zëdhënës i ministrisë ruse të mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore kishte shkatërruar tre raketa balistike ukrainase Tochka-U me koka të grumbulluara, por fragmente të njërës kishin rënë në një bllok apartamentesh.
“Ky sulm me raketa ishte planifikuar dhe nisur qëllimisht ndaj popullatës civile”, tha zëdhënësi Igor Konashenkov.
Ai tha gjithashtu se Rusia kishte rrëzuar dy dronë të armatosur ukrainas që po i afroheshin Kurskut, gjithashtu në Rusinë jugore.
Ministria ukrainase e mbrojtjes mohoi pretendimin rus. Zëdhënësi Yuriy Sak i tha BBC-së se “shërbimi ynë i sigurisë ka përgjuar shumë herë telefonata midis ushtarakëve rusë, të cilat dëshmojnë se ndonjëherë, më shpesh, këto lloj aktivitetesh janë… provokime nga pala ruse”.
Një tjetër zyrtar ukrainas, Serhiy Bratchuk, tha se mbeturinat e raketave të ngulitura në një bllok apartamentesh të dëmtuar në Belgorod erdhën nga një sistem rus anti-ajror Pantsir, të cilin Ukraina nuk e ka. Disa ukrainas kanë postuar në Twitter një foto që dyshohet se tregon ato mbeturina.
Në fillim të prillit, Rusia tha se dy helikopterë ukrainas kishin sulmuar një depo civile të magazinimit të naftës në periferi të Belgorodit, duke shkaktuar një flakë karburanti. Videoja duket se tregon raketa që godasin objektin. Ushtria ukrainase mohoi se ishte e përfshirë./21Media