Dasma në Prizren bëhet lajm në Reuters
Për boshnjakët në fshatin Lubinjë e Ulët e Prizrenit, një ceremoni martese është një formë arti. Duke ruajtur një traditë shekullore, ngjarja dy-ditore është një festival muzike dhe vallëzimi për të shfaqur një nuse të shkëlqyer me kostumin tradicional boshnjak.
Kështu e nisi rrëfimin agjencia e lajmeve Reuters, për dasmën kosovare ku u martuan Melsid Rexhepi dhe Melissa Guerrero nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Guerrero ishte e mahnitur kur mori pjesë në një dasmë tradicionale në vizitën e saj të parë në Ljubinjë në vitin 2013 për të takuar familjen e të dashurit të saj të shkollës së mesme. Aq shumë ajo ëndërronte që të bënte një dasmë të tillë edhe vetë, përcjell rtv21.tv

Teksa Melissa përgatitej për ceremoninë e dasmës, muzika e fortë e daulleve dëgjohet ndërsa një grua e moshuar lyente fytyrën e saj, një proces që zgjatë rreth dy orë gjatë së cilës nusja nuk mund të hapë sytë, të flasë me askënd ose të hajë ose pijë. Kuzhinierët që kishin therur një dem të madh përgatitën ushqim për një festë me qindra njerëz, thuhet tutje në shkrimin e Reuters.

“Të gjitha ato linja dhe ato ngjyra në fytyrën e nuses simbolizojnë një përvojë që të jetë lumturia, dashuria, respekti, harmonia e kështu me radhë”, tha Xhavit Rexhepi, një ish-profesor i biologjisë, i cili ka shkruar një libër mbi traditat lokale në këtë zonë. Megjithëse piktura dhe kostume të ngjashme të fytyrës, të cilat janë me origjinë pagane, mund të gjenden në komunitete të tjera në vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Turqia, Rexhepi tha se dizajnet e fustaneve të nusërisë në fshatin e tij janë unike.
Popullsia e Lubinjës së Ulët është përgjysmuar nga rreth 3 mijë banorë 20 vjet më parë, pasi shumë emigruan jashtë vendit. Korriku dhe gushti janë muajt më të ngarkuar me dasma pasi shumë njerëz kthehen në fshat për vizitë, dhe ka një dasmë çdo ditë, ndonjëherë dy herë në ditë.
Megjithatë, çdo vit gjithnjë e më pak janë ata që dëshirojnë këtë lloj dasme tradicionale dhe ka mbetur vetëm një grua që bën grimin, shkruan tutje Reuters.
Aziza Sefitagic, e cila është në fund të të 60-ave, është përpjekur t’ua mësojë artin e saj grave të tjera në fshat, por shumica e tyre kanë emigruar në vendet perëndimore.
“Unë vetëm shpresoj se kjo traditë nuk do të vdesë me mua”, tha Sefitagic teksa pikturonte fytyrën e Melissa-s./21Media