Kaloni te përmbajtja kryesore

Kajari njofton Kurtin mbi përgatitjet shtesë të KFOR-it për sigurinë në veri

Komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Ferenc Kajari, sot gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ka folur mbi përgatitjet shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.
Zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media ka njoftuar se në këtë takim, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it për garantimin e sigurisë dhe lëvizjen e lirë.
Kurti dhe Sveçla falënderuan gjeneralmajor Kajarin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit.
“Në takim u ritheksua gatishmëria për bashkërendim të veprimeve ndërinstitucionale në shërbim të paqes, ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe.
Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator.
Vendimi për targat kërkon që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.
Ndërkaq, vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.
Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje gjatë rundit të dialogut më 18 gusht, por BE-ja tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë, me qëllim që të arrihet një ujdi para 1 shtatorit./21Media 
 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button