MASHTI njofton për fillimin e mësimit të hënën: Do të rishikohet kalendari

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
MAShTI thotë se i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK.
MAShTI ka njoftuar se të hënën do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.
“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në shkrimin e MASHTI-it në Facebook.
Ministria e Arsimit ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës.
Gjithashtu, MAShTI ka njoftuar se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. “Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla”.
Ministria e Arsimit ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor./21Media

Back to top button