Nagavci paralajmëron rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se do të rritet numri i inspektorëve të arsimit.
Nagavci ka thënë se Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës.
“Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi. Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë”, ka thënë Nagavci.
Ajo tutje ka bërë të ditur se edhe për vitin e ardhshëm kanë planifikuar të pranojnë 20 inspektorë tjerë të arsimit.
Nagavci ka thënë se me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojnë: “Të sigurojmë cilësi në arsim; Të jemi me afër problemeve në shkolla; Të kemi më shumë mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore; Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës”.
Në Facebook, Nagavci ka shkruar se me qasje gjithpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojnë cilësinë në arsim./21Media