Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve mund të nisë në fillimin e vitit 2023

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë konfirmuar se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Gjykata Speciale në Hagë.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka caktuar disa afate për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, por deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjykimi. Megjithatë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka theksuar në një vendim publik, se ai ka parashikuar që dosja e çështjes mund të jetë gati për t’iu kaluar trupit gjykues deri në fund të vitit, që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Speciales për rtv21.tv.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./21Media

Back to top button