Gjermania ankohet për emigrantët, kritikon Serbinë

Gjermania ka shtuar kontrollet kufitare në pikat kufitare nga Austria, duke pasur parasysh një rritje të numrit të emigrantëve që mbërrijnë përmes rrugëve të Ballkanit Perëndimor, tha të martën ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
“Në mënyrë të konsiderueshme më shumë njerëz po vijnë në Evropë dhe kjo më shqetëson”, tha Faeser pas një takimi me drejtuesit e shtetit dhe komunave gjermane se si të përballen me rritjen e numrit të emigrantëve.
Ajo tha se Austria dhe Republika Çeke kishin rënë dakord që të kontrollonin edhe njerëzit që kalojnë kufirin nga Sllovakia, transmeton rtv21.tv.
Rruga e Ballkanit Perëndimor mbetet rruga më aktive e migracionit në Bashkimin Evropian, tha muajin e kaluar agjencia kufitare Frontex, me një rritje prej 141%.
Në tetë muajt e parë të vitit, numri i kalimeve të parregullta thuajse u dyfishua nga një vit më parë, duke vënë në rritje presion mbi forcat e kontrollit kufitar.
Faeser kritikoi politikat e vizave të Serbisë, duke thënë se ato kontribuan në migrimin përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor dhe ishin “të papranueshme”.
Politika pa viza e Beogradit me vende si India dhe Tunizia lejon një fluks migrantësh të cilët më pas mund të përpiqen të hyjnë ilegalisht në BE.
Sipas një raporti të mëparshëm të gazetës austriake Der Standard, rreth 15,000 kërkesa për azil në Austri erdhën nga shtetas indianë dhe tunizianë këtë vit./21Media

Back to top button