Kurti takoi senatorët Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen, biseduan për takimin e radhës në Bruksel

(Lajmi përditësuar)
Raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ritheksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
Kryeministri Kurti falënderoi senatorët Shaheen dhe Van Hollen për ndihmën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm të tyre dhe të ShBA-ve për Kosovën. Folën për përparimin e shënuar në sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, demokratizim të institucioneve dhe zhvillim ekonomik.
Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet e fundit në rajon. Sa i përket dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, kryeministri Kurti theksoi angazhimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm të Kosovës në këtë proces.
Kurti u takua me kancelarin Scholz, biseduan për propozimin evropian
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gër​valla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, u takua me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.
Siç bëhet e ditur në njoftimin nga Zyra e Presidencës, në takim u  fol për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara.
Po ashtu u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz. Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit, theksoi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin tonë për Procesin e Berlinit.
Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.
10: 45- Basso në Mynih ia konfirmon Kurtit mbështetjen e BERZh-it për Kosovën
Pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi duke u takuar me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Basso.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Qeverisë dhe BERZh-it, projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
Kryeministri Kurti falënderoi presidenten e BERZh-it, Basso për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ai shtoi se te BERZh-i, Qeveria e Republikës së Kosovës sheh një partner të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të saj në zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e transportit, digjitalizimit, energjisë dhe sektorit privat.
Më tej bëhet e ditur se duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë cilësore në vend, Kryeministri Kurti veçoi trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore. Kryeministri Kurti e njoftoi presidenten Basso edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, si dhe në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.
Presidentja Basso e uroi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për suksesin në luftën kundër korrupsionit. Ajo shprehu përkushtimin e BERZh-it për të bërë edhe më shumë në mbështetje të Kosovës, me theks në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat.
07: 45- Kurti merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Gjermani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka udhëtuar për në Mynih të Gjermanisë, ku do të merr pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Bëhet e ditur se Kurti do të zhvillojë takime me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh, pjesëmarrës në këtë konferencë.

Konferenca e Sigurisë në Mynih nis të premten me një video-adresim të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe me prezentimet e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Ky organizim vjetor i nivelit të lartë organizohet në Bavari, jug të Gjermanisë, dhe në të diskutohet për shqetësimet kyçe në fushën e mbrojtjes./21Media

Back to top button