Alarm i rremë për bombë në Aeroportin e Prishtinës, rinisin fluturimet
(Lajm i përditësuar)
Kërcënimi me bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” rezultoi të jetë prapë i rremë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Pak pas orës 16-të, nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ është pranuar një informatë për kërcënim me mjet shpërthyes. Policia ka ndërmarr të gjitha masat konform procedurave për raste të tilla. Rreth orës 17:40, pas kontrollit, e ku nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, janë rikthyer aktivitetet përfshirë rikthimin e udhëtarëve në terminal”, konfirmoi Krasniqi duke shtuar se Policia është duke trajtuar rastin.
Në anën tjetër, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara për portalin rtv21.tv tha se aeroporti është i hapur për fluturime dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht.
Alarm për bombë në Aeroportin e Prishtinës
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është raportuar për një kërcënim me bombë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcënim me bombë. Udhëtaret dhe personeli janë evakuuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë te angazhuar ne kryerjen e detyrave te tyre”, ka thënë Gara.
Alarme për bombë ka pasur edhe në të kaluarën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përderisa të njëjtat kanë rezultuar të rreme.