Kaloni te përmbajtja kryesore

Zelensky: Ukraina është e gatshme ta nisë kundërofensivën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi se kundërofensiva ndaj forcave ruse do të jetë e kushtueshme. Ai tha se shteti i tij, është i gatshëm të nisë kundërofensivën e shumëpritur, për t’i çliruar territoret e pushtuara nga forcat ruse.

“Ne besojmë fuqishëm se do të dalim fitimtarë. Nuk e di sa do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të ndodhin shumë gjëra, do të shkojnë në disa drejtime. Mirëpo ne do ta nisim, dhe jemi të gatshëm”, tha Zelensky.

Shtoi se ushtria e tij nuk i ka pranuar të gjitha armët për të cilat ka shpresuar.  Ai tha se shtetit të tij i duhen më shumë armë, përfshirë pajisjet e armatosura, përpara se të nisë kundërofensiva e shumëpritur.

Presidenti ukrainas ka muaj që i kërkon Perëndimit, më shumë ndihmë ushtarake dhe armë. Rusia tani zotëron territor ukrainas në lindje, jug dhe juglindje të shtetit.

Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme raketore të mbrojtjes, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet ajrore ruse. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button