Senati amerikan fut Kosovën në listën e vendeve për trajnime ushtarake të SHBA-së

Kosova do të hyjë në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të SHBA-së, me anë të Draft-ligjit vjetor të mbrojtjes së Senatit.
Sipas raportit nga Defense News, kjo vjen në mes të tensioneve të rritura në Ballkan, përcjell rtv21.tv.
Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë debatin këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s.
Një gjë e tillë do t’i mundësojë Kosovës të merr rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve që përfshin edhe Serbinë.
“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit për projektligjin.
Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.
“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.
Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura e avancoi projektligjin në qershor. /21Media