Çudiç: Kosova të pranohet pa vonesë në Këshillin e Evropës

(Lajm i përditësuar)

Deputetja nga Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, në Këshillin e Evropës, Sabina Çudiç gjatë një diskutimi në Asamblenë Parlamentare, tha se Kosova duhet të pranohet pa vonesë në Këshillin e Evropës.

“Kushtetuta përmban Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk mund të hyjnë në GJEDNJ. Kukullat e Putinit krijojnë kërcënime sigurie për Kosovën, Bosnjë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, dhe për Evropën më gjerë”, deklaroi ajo.


​Gashi në KiE: Kërkojmë hetim ndërkombëtar për kampet e trajnimit për terroristët në Serbi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, derisa është diskutuar për situatën në veri të vendit pas agresionit serb më 24 shtator.

Aty, Gashi ka thënë se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, në Republikën e Kosovës, është kryer një sulm terrorist, ndërsa një grup terroristësh të armatosur, të veshur me uniforma dhe maska kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë, dhe jo vetëm. Serbia, si shtet anëtar i këtij institucioni të madh, e ka përkrahur dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist. Serbia ende vazhdon t’i mbështesë ata, pasi të gjithë terroristët e përfshirë në këtë sulm janë të fshehur në Serbi”, ka thënë Gashi.

Gashi ka theksuar nevojën për dënim të terrorizmit derisa ka thënë se “nuk duhet të lejojmë terroristët të minojnë përparimin që kemi bërë në ndërtimin e një shoqërie paqësore të bazuar në parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”.

Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi.

Gjithashtu ka kërkuar nga Serbia që të largojë trupat ushtarak nga kufiri me Kosovën.

“Për më tepër, ne bëjmë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi. Prania e objekteve të tilla nuk është vetëm një shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale dhe globale. Së bashku, me anëtarët e Këshillit të Evropës, ne duhet të solidarizohemi kundër terrorizmit dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë në Kosovë. I bëjmë thirrje Serbisë që të largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Ky veprim nuk është vetëm thelbësor për stabilitetin rajonal, por edhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe parimet e paqes dhe sigurisë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se “prania e trupave ushtarake në kufirin e Kosovës ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon”.


Bogujevci në Parlamentin e KiE-së tregon shenjat në duar të shkaktuara nga plumbat e ushtrisë serbe

Në debatin e mbajtur në Parlamentin e Këshillit të Evropës për situatën në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci i është kundërpërgjigjur anëtares serbe Biljanta Pantiq, duke ia treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat që kishte marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba. Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, tha Bogujevci.

Back to top button