A filloi viti shkollor me prani fizike në të gjitha shkollat, tregon MASHTI

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) sot ka informuar se në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë, sot ka filluar viti shkollor 2021-2022 dhe sipas raporteve, në pjesën më të madhe të shkollave mësimi është zhvilluar sipas skenarit A, pra me prani fizike në shkolla.
Në ndërrimin e paradites, sipas raporteve, MASHTI ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e shkollave e kanë filluar ditën e parë të këtij viti shkollor sipas skenarit A, që do të thotë me prani fizike në klasë, por të ndarë në grupe me jo më shumë se 20 nxënës. Ndërsa, vetëm një numër i vogël i shkollave (2 shkolla në Drenas, 3 në Ferizaj, 4 në Gjilan, 1 në Viti dhe të gjitha shkollat e mesme të larta në Gjakovë), që e kanë filluar mësimin sipas skenarit B, pra me mësim të kombinuar.
Në ndërrimin e pasdites, siç ka theksuar ministria, është raportuar se shumica e shkollave kanë filluar procesin mësimor sipas skenarit A, ndërsa sipas skenarit B kanë filluar 1 shkollë në Gjilan, 3 në Ferizaj, 2 në Drenas dhe shkollat e mesme të larta në Gjakovë. Me skenarin C, sipas njoftimit, ka filluar mësimi në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë vetëm për klasët e 11-ta dhe 12-ta për shkak të renovimeve që janë duke u bërë në shkollë.
Ndërkaq, në Kamenicë, mësimi nuk ka filluar në 5 shkolla (“Asllan Thaqi” – Karaçevë e Poshtme, “Hasan Prishtina”- Busavatë, “Xhelal Sopi” – Petroc, “Skënderbeu” – paralelja fizike në Hogosht, “Sadri Misini” paralelja fizike në Shipashnicë), për arsye se DKA e kësaj komune e ka shpërndarë kuadrin mësimor në shkolla të tjera.
Ndërsa, sipas MASHTI-t, komuna e Rahovecit nuk ka raportuar sa i përket ditës së parë të fillimit të vitit shkollor, respektivisht zhvillimit të procesit mësimor në këtë komunë.
“Edhe këtë vit shkollor, përmes Udhëzuesit të rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë COVID-19, është lënë mundësia e organizimit të mësimit përmes skenarëve A,B,C, të cilëve iu është shtuar edhe skenari i Rikthimit, që nënkupton mësimin me prani fizike dhe me orar të plotë. Për zbatimin e skenarëve, varësisht nga situata epidemiologjike, do të kujdeset task forca në nivel të institucionit në bashkëpunim me task forcën në nivel të Drejtorisë Komunale për Arsim.”, është bërë e ditur në njoftimin e ministrisë.
MAShTI iu ka bërë thirrje nxënësve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër shkollor, si dhe prindërve që të bashkëpunojnë dhe të zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara nga ekspertët shëndetësor për mbrojtje nga COVID-19, në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura përgjatë gjithë vitit shkollor.
Kujtojmë që, fillimi i vitit shkollor në Kosovë këtë vit është shtyrë dy herë, shkaku i gjendjes me pandeminë Covid-19./21Media

Back to top button