AAK do të jetë opozitë konstruktive

 

 

Ministri në detyrë të Ekonomisë dhe Ambientit, njëherit nënkryetar i AAK-së, Muharrem Nitaj, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ka deklaruar se Aleanca do të mbetet opozitë konstruktive.

“Sapo e përfunduam mbledhjen e kryesisë që u mbajt pas takimit që pati kryetari Haradinaj me festuesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, z.Albin Kurti. Kemi diskutuar për procesin e krijimit të institucioneve dhe zgjedhjet komunale. Qëndrimi i AAK-së mbetet që të jetë opozitë konstruktive në temat nacionale”, ka thënë Nitaj.

Ai ka thënc po ashtu se zgjedhja e presidentit mbetet në diskrecionin e LVV-së si parti fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Besoj që keni pasur përgjigjen nga Haradinaj, fitues i këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje dhe iu takon atyre diskrecioni, fuqia dhe komoditeti që të gjejnë formulën për krijimin e institucioneve të Kosovës, natyrisht duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Nitaj.

Mbledhja e Kryesisë së AAK-së është mbajtur pas takimit që ka zhvilluar kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj me kandidatin për kryeministër Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

 

Back to top button