AAK-ja kërkon rishikim urgjent të buxhetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikojë buxhetin për vitin 2022, pasi siç tha ai, kanë ndryshuar parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet.
Në një konferencë për media, Haradinaj i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të rishikojë edhe investimet kapitale.
“Praktikat e rishikimit ekzistojnë, pra një rishikim tradicional në mes të vitit, por ne kërkojmë që rishikimi të ndodhë tani, urgjent. Analiza jonë, e departamentit të Financave, e kolegëve, e ekspertëve, është se kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet. Pra, ka ndryshuar inflacioni, janë rritur çmimet, ka një situatë urgjente të krizës në Kosovë. Bazuar në këtë, si Aleancë, i sugjerojmë Qeverisë që të ndërmerr menjëherë rishikimin e buxhetit të vendit”, tha ai.
AAK-ja i sugjeroi Qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjnë në krizën financiare në vend.
“Është reale heqja e TVSh-së për artikujt bazë ushqimorë për një periudhë prej 3 muajsh, për t’u rivlerësuar më tutje. Po ashtu, vlerësimi i akcizës për naftën, për shkak se akciza, ose çmimi i rritur i naftës ka ndikim në rritjen e të gjitha çmimeve tjera, por kësisoj të veprohet edhe me ndërhyrjen e karteleve financiare, sikurse është likuiditeti i KOSTT-it, veçanërisht humbjet në veri, të cilat po vazhdojnë me u rritë”, tha Haradinaj.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri tha se buxheti aktual është përgatitur mbi disa premisa joreale./21Media

Back to top button