AAK paralajmëron protesta ndaj Qeverisë Kurti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëron kundërshtime të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Në partinë opozitare thonë se do të përdorin edhe rrugët joinstitucionale për të shfuqizuar vendimin e ZRrE-së.
Nënkryetari i AAK-së, njëherësh deputeti, Pal Lekaj ka thënë se vendimin për shtrenjtimin e rrymës do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, derisa thekson se po i shikojnë mundësitë për të organizuar edhe protestë. Ai thotë se Qeveria duhet të gjejë zgjidhje edhe për pagesën e rrymës në veri.
”Ne do të këmbëngulim që të kundërshtojmë këtë nëse qeveria nuk dakordohet, ne do të kërkojmë metoda demokratike të presionit ndaj qeverisë, duke e dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, edhe metoda të tjera jashtë institucioneve…Gjitha janë opsionale, do të shikojmë se cila mundësi do të jetë që të bëjmë presion në qeveri. Përveç këtyre që i thash institucionale është opsioni i hapur edhe për protesta… Të shfuqizohet vendimi i ZRrE-së dhe të shikohet mundësia tjetër alternative që mos të vije deri te shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ne do t’i bëjmë kërkesë qeverisë që të zbatojë apo merr vendim sepse ka kaluar rezoluta që iu ka paguar serbëve në veri të Kosovës rrymën. Diku rreth 30 milionë, janë kërkuar edhe 30 milionë për këta tre muaj që do të thotë përgjithësi diku 60 milionë, plus 90 milionë subvencion që i bie se për këta tre muaj do të jetë diku 150 milionë euro”, ka thënë ai.
Lekaj adreson kritika edhe ndaj kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quan mashtrues.
”Vendimi i ZRrE-së ka qenë lajmi më i keq për qytetarët e Kosovës. (Vendimi) është antiligjor, antikushtetues dhe është diskriminues sepse i dallon qytetarët. Për një shtresë të qytetarëve subvencionohen ndërsa për pjesën tjetër qytetarët duhet të paguajnë për të tjerët. Sidomos është diskriminues dhe jo i barabartë me veriun e vendit me qytetarët që janë të padëgjueshme dhe në asnjë mënyrë nuk është gjetur zgjidhja që të paguajnë energjinë e shpenzuar. Prandaj, ZRrE-ja ka pruar një vendim të gabueshme dhe diskriminues për qytetarët e Kosovës…Ky vendim është në vazhdën e vendimeve të tjera që shkon në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe është vendim që ka mashtruar qytetarët. Me siguri qeveria Kurti ka menduar që gjithçka që menaxhohet shkon vetëm në favor të subjektit të tij, por nuk ka dominuar interesi i përgjithshëm i qytetarëve. Sikur që ka mashtruar dhe premtuar se do të ketë zvogëlim të energjisë elektrike, mendoj se këtë drejtim zotëri Kurti nuk e ka mbajtur premtimin dhe për mua është një mashtrim i radhës”, deklaroi Lekaj.
Deputeti Lekaj i arsyeton shpenzimet dhe kompensimin e derivateve të udhëtimit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se udhëton rregullisht nga Gjakova dhe në dy muajt e fundit ka bërë 39 takime në kuadër të legjislativit.
Sipas tij, deputetët që jetojnë në Prishtinë dhe janë kompensuar duhet të hetohen nga autoritetet përkatëse.
”Unë jetoj në Gjakovë, jam banor i qytetit të Gjakovës me dokumentacion dhe udhëtoj. Mendoj se kjo që është thënë, mund t’iu them qytetarëve se 39 takime i kam pasur për dy muaj. Nuk jam ai që kam vendos dhe është vendim i Kryesisë së Kuvendit dhe nuk kam pruar fatura dhe mbush formular, vetëm e kam deklaruar vendbanimin e përhershëm…Ata që kanë gabuar është institucioni autonom është prokuroria që të hetohen gjithë ata që kanë mashtruar, por për vetën time, Pal Lekaj jeton në Gjakovë”, ka thënë ai.
Pavarësisht kësaj, Lekaj ka theksuar se nuk e përkrahin vendimin për shfuqizimin e rregullores për kompensimin e derivateve të iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje./kp

Back to top button