Von Cramon u bën thirrje Kurtit e Vuçiqit të kthehen në tryezën e negociatave

Vuçiqi e pranoi marrëveshjen, Kurti jo

(Lajm i përditësuar)
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas dështimit për t’u arritur një marrëveshje sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer që nuk është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të hënën në Bruksel.
Von Cramon i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të kthehen në tryezën e negociatave.
“Arritja e një kompromisi kërkon vullnet politik dhe udhëheqësi të guximshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Prandaj i bëj thirrje të dyve Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të kthehen në tryezën e negociatave, pasi nuk ka alternativë ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja të ndihmuar nga Miroslav Lajçaku”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Më tej, eurodeputetja thotë se shumë gjëra janë në rrezik përfishirë sipas saj edhe integrimi i arritur në veri të Kosovës si dhe siç tha ajo, “gjëja e fundit që duhet është një përshkallëzim në oborrin tonë të brendshëm.
“Më vjen thellësisht keq që nuk kishte interesim të vërtetë për të arritur një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e BE-së. Shumë gjëra janë në rrezik, përfshirë edhe integrimi i arritur tashmë në veri të Kosovës. Në kohë të luftërave, gjëja e fundit që duhet është një përshkallëzim në oborrin tonë të brendshëm”, është shprehur ajo.


18:36- Ambasadori gjerman e mbështet deklaratë negative e BE-së për Kosovën
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode ka rishpërndarë në formë miratimi në llogarinë e tij në Twitter atë  që e tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, referuar Kosovës, pas dështimit për të arritur marrëveshje në takimin trilateral në Bruksel mes BE-së, Kosovës dhe Serbisë.
Rhode nuk ka shtuar ndonjë koment të tij, por me rishpëndarje konfirmon se ndan të njëjtin mendim.
“Do t’i informojë shtetet anëtare të BE’së, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të obligimeve të tyre ligjore ndërkombëtare, dhe kjo shkon në veçanti për Kosovën. Kjo dërgon sinjal politik tejet negativ”, ka thënë Borrell, deklaratë kjo e publikuar nga zëdhënësi i BE’së Peter Stano dhe e rishpërndarë nga Rohde.


16:42- Abbot: Është zhgënjyese që nuk është arritur asnjë marrëveshje
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Bruksel.
Pas deklaratave të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, se nuk është arritur asnjë marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit, ai është shprehur i zhgënjyer.
“Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë. Është zhgënjyese që sot nuk është arritur asnjë marrëveshje. Situata aktuale paraqet rrezik për sigurinë dhe jetesën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe largon vëmendjen nga misioni i qeverisë për të përmirësuar jetën e tyre. Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në një përshkallëzim të tensionit ose të shkaktojnë kërcënime për sigurinë. Nevoja urgjente është të bëhet përparim në një marrëveshje normalizimi që do t’i bënte të panevojshme mosmarrëveshjet për çështje të tilla si targat”, ka shkruar Abbot në “Facebook”.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e sotëm për çështjen e targave ilegale.
Ai në konferencë për media, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiq, ka thënë se ka propozuar për palët që Kosova të shtyjë vendimin për targa, ndërsa pala serbe që mos të lëshojë më targa “KM”.
Siç ka thënë Borrell, Vuçiq pranoi propozimin e tij, ndërsa Kurti e refuzoi atë./21Media

Back to top button