Abbott përgëzon mbajtjet e zgjedhjeve në Veri, i shqetësuar me raportimet për presion dhe kërcënime

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka mirëpritur mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës.

“E mirëpres që zgjedhjet në komunat veriore dje u mbajtën sigurt dhe pa ndonjë incident të madh. Do të doja t’i nderoja zyrtarët e zgjedhjeve & policinë që e bënë këtë të mundur. Më vjen keq për mungesën e partive politike serbe dhe zgjedhjes për serbët në procesin zgjedhor”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Abbott ka thënë se raportimet për presion dhe kërcënimeve në disa raste për mospjesëmarrje ishin thellësisht shqetësuese.

“Raportimet për presion dhe kërcënimeve në disa raste për mospjesëmarrje ishin thellësisht shqetësuese. Pres progres në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër muajin e kaluar në interes të të gjithë qytetarëve të komunave veriore”, ka shkruar tutje Abbott.

Më 23 prill, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës zgjodhën kryetarët e rinj.

Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila kësaj here i bojkotoi zgjedhjet.

Për bojkotimin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës, liderët kosovarë e fajësuan ndikimin e Beogradit.

Ndërkaq, liderët e Serbisë kanë paralajmëruar “një krizë të thellë” në atë zonë.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Back to top button