Abdixhiku: Kurti ta kërkojë marrëveshjen finale me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se vazhdimi i dialogut të copëzuar për tema teknike është vetëm interes i Serbisë.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ftesën e të cilin e konsideroi të vonuar, Abdixhiku tha se janë njoftuar nga ai mbi gjashtë pikat për marrëveshjen finale.
“Konsideruam që kjo ftesë është e vonshme pasi vjen dy javë pas takimit në Bruksel. Në ndërkohë, partitë opozitare janë informuar edhe në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në masë më të thellë se sa që nga informoi sot kryeministri Kurti. Ai bëri sot një prezantim të gjashtë pikave të cilat tashmë janë të njohura për publikun. Ne besojmë që dialogimi i copëzuar është në interes vetëm të Serbisë. Prandaj, sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, ushqehen interesat e Serbisë. I kërkojmë kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohje reciproke ne thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial në thelb të saj. Është në dorë të kryeministrit që të bëjë këtë që është obligim i tij”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se i kanë kërkuar kryeministrit Kurti të raportojë në Kuvend për dialogun./21Media

Back to top button