Konsumatorët e lidhur në linjën e bizneseve do të mbrohen nga reduktimet

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është duke monitoruar nga afër situatën energjetike në vend.
“Duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ (MZhE) Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, si dhe me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, në veçanti të sektorit të industrisë, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim që konsumatorët me dalje të dedikuara për biznese të hyjnë në listën e konsumatorëve të mbrojtur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas njoftimit, këta konsumatorë që nga fillimi i kësaj jave do të përjashtohen nga reduktimet e energjisë elektrike për aq sa është e mundur nga ana e Furnizuesit të Shërbimit Univerzal (FShU).
“Megjithatë, duke pasur parasysh situatën e rënduar energjetike, lusim të gjithë bizneset që të kursejnë energjinë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të evituar rritjen e konsumit. Rritja e dukshme e konsumit rrezikon ta bëjë të pamundur mbrojtjen e këtyre konsumatorëve gjatë muajve të dimrit”, përfundon njoftimi i Ministrisë./21Media

Back to top button