Abdixhiku-Kurtit: Lirohu nga paranojat, njerëzit që flasin për rrëzimin e qeverisë i ke në kabinet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, sot deklaroi se kryeministri Albin Kurti është i vetmi përgjegjës për situatën dhe krizat në Kosovë.
Në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor, deputeti Abdixhiku tha se njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e Qeverisë janë në kabinetin e Kurtit.
“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që sot flasin për rrëzimin e Qeverisë janë tek ti në kabinet. Përveç nëse dëshironi që këto kriza t’i shfrytëzoni për ikje të përgjegjësisë, por aty s’mund t’ju ndihmojmë, atëherë aty jeni vet”, u shpreh ai.
Abdixhiku derisa foli për grevën në arsim dhe nevojën për kompromis që fëmijët të kthehen në shkolla, ndërsa theksoi se kryeministri Kurti duhet të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë, armiqve të padukshëm e rrëzimit të Qeverisë.
“Të dhënat në vend tregojnë se 44 mijë kosovarë kanë lëshuar Kosovën gjatë qeverisjes së tij të parë 2021, e 61 mijë të tjerë gjatë 6 muajve të parë të këtij viti. Pra, nga 10 mijë punëtorë po i humbi çdo muaj. A është kjo shpresa e premtuar për qytetarët e Kosovës, kjo më nuk është gjendje normale. Paratë i mbanë të bllokuara, ekzekutimet e investimeve kapitale në numra 1 shifrorë e përtej forcës punëtore na largohen edhe ata në treg shëndetësor. Ta bëjmë të qartë, Kosova nuk ka qeveri, jemi në krizë dhe kapërcimet politike bëhen nga kriza në krizë. Në vend të gjetjes së zgjidhjes për çdo problem, nga greva tek energjia e inflacioni, ikaj nga shëndetësia, ne dëgjojmë narracionet e 14 shkurtit e fajësimet për 20 vite e konspiracione për rrëzim të qeverisë. Kjo është gjuhë e paaftësisë… Prandaj, kryeministër bën zgjidhje për secilën krizë, lirohu nga paranojat e argatëve të Serbisë”, shtoi ai.

Back to top button