Abdixhiku: Masakra e Reçakut, një ndër aktet më të rënda dhe më tronditëse ndaj popullit të Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, i shoqëruar me bashkëpunëtorë bënë homazhe dhe nderuan jetën dhe veprën e të rënëve te Kompleksi Memorial në Reçak në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut.
“24 vjet nga Masakra e Reçakut, ditës kur 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar, u vranë e u masakruan nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë. Mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë. Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, tha ai.
11:12- ​Krasniqi: Reçaku dëshmoi synimin e një politike gjenocidale serbe kundër shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bëri homazhe në Kompleksin memorial në Reçak.
Ai theksoi se kjo masakra e Reçakut, 24 vjet më parë, dëshmoi qëllimin dhe synimin e një politike gjenocidale dhe të orkestruar të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Vrasja e 45 civilëve në Reçak, në gjakftohtësi dhe me paramendim, ishte krim kundër njerëzimit – çka me të drejtë e cilësoi edhe Ambasadori William Walker. Krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998-99, nuk do të harrohen asnjëherë dhe për to nuk do të heshtim derisa drejtësia të vihet në vend”, tha Krasniqi.
Krasniqi ishte i shoqëruar nga kolegë e bashkëpunëtorë nga PDK.
11:02 – Haradinaj: Masakra e Reçakut dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut në përvjetorin e kësaj ngjarje makabre qe tronditi botën.
Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo masakër mbetet dëshmi e gjenocisit serb në Kosovë.
“Kjo masakër mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar”, ka shkruar Haradinaj.

Sot Kosova përkujton 45 martirët në Masakrën e Reçakut.
Masakrimi i tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbë, më 15 janar të vitit 1999, bëri që bashkësia ndërkombëtare të niste kthesën për çështjen e Kosovës.
Ambasadori asokohe i misionit të OSBE-së, William Walker, pa me sytë e tij dhe përjetoi tmerrin e shkaktuar nga Serbia./21Media
 

Back to top button