Abdixhiku: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike, ky është epilogu i Kurtit në dialog

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar mbrëmë pas dakordimit mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Abdixhiku ka thënë se epilogu i kryeministrit Albin Kurti në dialog ishte mashtrim dhe humbje e një mundësie historike.
“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Borrell i bëri komentet pasi ndërmjetësoi një takim maratonë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.
“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, tha ai, ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?