Abdixhiku ngushëllon familjarët e viktimave pas aksidentit tragjik

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas aksidentit që ndodhi në Bullgari ku një autobus u përplas dhe mori flakë duke i marrë jetën 46 personave.
Abdixhiku ka thënë se në emër të LDK-së, sot në mëngjes i ka shprehur ngushëllime Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ai gjithashtu ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
“Lajmi për humbjen tragjike të 46 jetëve në aksidentin fatal në Bullgari, na lë pa fjalë e me dhimbje shumë secilin prej nesh. Në këto momente të vështira, u shpreh nugshëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shpirti i tyre pushoftë në paqe. Lutemi që të lënduarit të shërohen sa më parë.Në emër të LDK-së, sot në mëngjes i kam shprehur ngushëllime dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor. 12 fëmijë kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.
Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./21Media

Back to top button