Abdixhiku: Situata në veri kërkon unitet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se situata në veri të Kosovës kërkon unitet të plotë.
“Përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në Veri të vendit. Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë. Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai tutje ka thënë se si LDK kanë shprehur gatishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kanë,  Qeverinë e vendit.
“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku u ka bërë thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.
Të shtunën, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan./21Media

Back to top button