Abdixhiku: S’ka më mirë se kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku votoi sot në shkollën “Faik Konica”, me ç’rast tha se s’ka gjë më të mirë sesa kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Abdixhiku uroi që kjo ditë e zgjedhjeve lokale të përfundojë sa më mirë.
“Sot është festë sepse vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë. S’ka gjë më të mirë e më të bukur sesa kur qytetarët vendosin per të ardhmen e tyre. Uroj që kjo ditë të kalojë sa më mirë… dhe të përfundojë si e tillë, dhe në veçanti të uroj 41 mijë votuesit, që për herë të parë sot ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike në një shoqëri të mbarë e të mirë”, tha Abdixihiku.
Ai përgëzoi mediat dhe komisionarët e KQZ-së, duke thënë se po kontribuojnë që kjo ditë të shkojë sa më mirë.
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt 2021. Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është: 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues, të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?