Afro 40 milionë euro më shumë të hyra në ATK
Trajektorja e lëvizjes së të hyrave të Administratës Tatimore të Kosovës nga rreth 42.9 milionë euro që kishte tejkaluar të hyrat për tre muajt e parë, ka shënuar rritjen tjetër, ku vetëm për katër muajt e parë të këtij viti janë inkasuar 269.4 milionë euro tatime, që në krahasim me vitin e kaluar ka rritje për 68.5 milionë euro apo 34.1%.
Tejkalim të të hyrave, ATK-ja nuk ka vetëm në raport me vitin paraprak, por edhe në krahasim me planin, ku rritja e të hyrave në raport me planin ka shkuar në 39.5 milionë euro apo 17.2%.
“Të gjitha këto statistika janë reflektim i madh në zvogëlimin e hendekut tatimor, pasi që çdo rritje e inkasimit nënkupton zvogëlim të hendekut tatimor. Por, pavarësisht këtij trendi rritës të të hyrave, ATK është duke punuar fuqishëm në identifikimin e çdo rasti, i cili i shmanget obligimeve tatimore siç parashihet me legjislacionin tatimor. Kjo është duke u realizuar përmes projekteve të fundit, të cilat në fokus të trajtimit kanë të gjithë tatimpaguesit/bizneset të cilat sipas analizës së riskut kanë rezultuar si tatimpagues me risk të lartë për evazion fiskal, si në deklarimin dhe pagesën e tatimeve, në regjistrimin e punëtoreve si dhe mos-pajisje me arke fiskale dhe mos-lëshimin e kuponëve fiskal”, thuhet në njoftim.
Në rritjen e të hyrave, gjithashtu rol të rëndësishëm sipas ATK-së, ka luajtur rritja e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë te stafi, rritja e inkasimit të mbledhja e borxheve, lehtësirat për tatimpaguesit në deklarimin dhe pagesën e tatimeve./21Media