Agim Ademi: Më sulmuan në mënyrë tinzare

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas sulmit të sotëm fizik ndaj tij, në parkun e Gërmisë. Ai ka informuar se është mirë me shëndet dhe ka theksuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim.
“Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë. Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze. Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet.”, ka shkruar Ademi në facebook.
Kreu i FFK-së ka shtuar se shpreson që shumë shpejt personat që e kanë sulmuar do të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
“Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.”, ka shtuar tutje Ademi.
Lajmin për sulmin fizik ndaj kreut të FFK-së për rtv21.tv e konfirmoi policia, e cila informoi se nisi hetim lidhur me rastin. “Rreth orës 11:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në parkun e Gërmisë, ku lëndime trupore ka pësuar një person. Nga ana e policisë është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti./21Media

Back to top button