AGK dhe KMShK kërkesë qeverisë të tërheqë projektligjin për KPM-në

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) përmes një konferencë për media i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

“Qeveria duhet të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online. Komunikatë e përbashkët e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës”, ka shkruar AGK në Facebook.

Bëhet e ditur se edhe organizata tjera ndërkombëtare i janë bashkangjitur thirrjes së AGK-së drejtuar qeverisë.

“Organizatat prestigjoze ndërkombëtare dhe rajonale i bashkohen kërkesës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës drejtuar Qeverisë së Kosovës që të tërheqë projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media”, ka shkruar AGK.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se dokumenti i miratuar nga Qeveria është bërë publik në faqen e kryeministrisë, vetëm pas kërkesës për të pasur qasje në të dhe nëse këto ndryshime miratohen, do të ndryshojë në mënyrë radikale mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video, prej vetërregullimit në rregullim shtetëror.

Sipas saj, ndryshimet detyrojnë mediat online që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

“Secila media online, që dëshiron të publikojë video, do të duhej të aplikonte për leje te Komisioni i Pavarur për Media, nëse projektligji miratohet”, ka shtuar Kusari.

Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria në fund të vitit 2023 dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës./21Media

Back to top button