AGK: Institucionet të sigurojnë gazetarët dhe lirinë e shtypit

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mbajti një konferencë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ditë të cilën e shënon nën moton “Blackout me” që ka për qëllim të paraqes së si do të dukej një ditë pa media.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjithashtu paraqiti sulmet e gazetarëve gjatë këtij viti dhe të viteve të kaluara.

Në vitin 2020, në AGK ishin lajmëruar 6 kërcënime me jetë dhe 4 sulme ndaj gazetarëve. Ndërsa deri tani në vitin 2021 janë lajmëruar 4 kërcënime me jetë si dhe një sulm ndaj gazetarëve. Kosova ende vajton vdekjen dhe zhdukjen e 15 gazetarëve.

Për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, anëtarja e bordit të AGK-së, Leonora Dalipi tha se institucionet e Kosovës kanë detyrim të garantojnë fjalën e lirë të gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për ta ushtruar rolin e gazetarit.

“Kjo datë edhe kësaj here i gjen kolegët tanë në ballafaqim me pandeminë COVID-19 duke konfirmuar rolin fisnik e shumë të rëndësishëm për profesionin tonë, edhe sot AGK ua rikujton institucioneve detyrimin në respektimin e fjalës së lirë, dhe krijimin e një ambienti të sigurt e demokratik, me liri të garantuar e të pacenueshme për të ushtruar rolin e gazetarit”, tha ajo

Në këtë konferencë, Dalipi tha se pengesa kryesore në ushtrimin e profesionit të gazetarit mbesin zvarritja e proceseve gjyqësore të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Fatkeqësisht nga viti në vit shtohen atakimet e formave të ndryshme në drejtim të gazetarëve. Censura, vetcensura e varshmëria financiare e mediave vazhdojnë të ndikojnë në të bërit gazetari objektive, nga ana tjetër zvarritja e proceseve gjyqësore të sulmeve ndaj gazetarëve dhe dënimet simbolike, për të mos thënë qesharake vazhdojnë të mbesin pengesa kryesore në ushtrimin e profesionit, madje dënimet që shqiptohen shpesh konsiderohen edhe inkurajuese për të penguar fjalën e lirë”, tha ajo

AGK i bëri thirrje institucioneve relevante që të bashkojnë forcat në luftimin e dukurive që kanë për qëllim pengimin e punës së gazetarëve.

AGK bëri thirrja institucioneve që të zbardhet e vërteta për 15 gazetarët e vrarë dhe të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë si: Afrim Maliqi, Aleksandër Simovic, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, Enver Maloku, Duro Slavuj, Haki Braha, Ismajl Berbatovci, Krist Gegaj, Ljubomir Knezvic, Marjan Meloshan, Momir Stokuca, Ranko Perenic, Shefki Popova dhe Xhemajl Mustafa.

Back to top button