Ahmeti – Baumgartner: Presim datë për konferencën e parë me Bashkimin Evropian
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Cyril Baumgartner.
Ahmeti dhe Baumgartner diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, rëndësinë e stabilitetit dhe konsistencës politike që vendi të vazhdojë rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Evropian, si dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me Bullgarinë, qëndron në kumtesën e BDI-së.
Kreu i BDI-së i ka shprehur ambasadorit Baumgartner falënderimin e tij ndaj Republikës së Francës për përkrahjen e vazhdueshme që i jep vendit duke potencuar edhe nevojën e thëllimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira bilaterale mes dy vendeve.
Ahmeti e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm rolin dhe qasjen konstruktive të Francës për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në periudhën e presidencës së saj me Bashkimin Evropian nga Janari deri në Qershor të vitit 2022 duke përshëndetur iniciativën e Samitit për Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës franceze.
Ai përshëndeti zgjedhjen e qeverisë së re në Bullgari dhe shprehu nevojën dhe gatishmërinë për zhvillim të menjëhershëm të dialogut intensiv dhe konstruktiv në muajt vijues për ta mbyllur çështjen bilaterale midis dy vendeve tona dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë dhe nevojën e bashkëpunimit më intensiv të të dyja vendeve në drejtim të avancimit të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbajtjes sa më të shpejtë të mbledhjes së parë ndërqeveritare dhe marrjes së datës së bisedimeve me Bashkimin Evropian./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?