Ahmeti: S’i kuptoj kosovarët që e kundërshtojnë vendosjen e reciprocitetit

 
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk i kupton shtetasit e Kosovës që e kundërshtojnë vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ahmeti ka thënë se shpreson se Qeveria e ka menduar këtë si strategji e jo vetëm si hap të vetëm.
“E kuptoj (jo mirëkuptoj) reagimin e Serbisë ndaj masave me tabela të veturave. E kuptoj (jo mirëkuptoj) edhe reagimin e serbeve të Kosovës. E kuptoj edhe këndin e ndërkombëtarëve për friken nga çfarëdo eskalimi. Por nuk e kuptoj shtetasin e Kosovës (spo them vetëm shqiptarët) që e kundërshtojnë këtë masë, edhe në qoftë se është për fushatë. Po ashtu shpresoj se Qeveria e ka menduar këtë si strategji e jo vetëm si hap të vetëm”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ahmeti tutje ka theksuar se “reagimi i radhës i shtetit Serb sipas të gjitha gjasave do jetë bllokimi i pjesshëm i kamionëve të Kosovës apo ndonjë goditje tjetër ekonomike. Ajo që të tjerët mund dhe duhet të bëjmë është të thërrasim për qetësi e maturi të qytetarëve të të gjitha përkatësive kombëtare”.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button