AKP miraton listën e aseteve për shitje me tender publik

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mori vendime konkrete lidhur me procedurat e shitjes direkte të aseteve. Nga numri i konsiderueshëm i rekomandimeve të paraqitura, Bordi ka aprovua 42 raste për fillimin e shitjes direkte, ndërsa 92 kërkesa të tjera u refuzuan.
Sipas AKP-së, në këtë mbledhje u miratuan 19 raste me çmim përfundimtar të shitjes, dhe u trajtuan 3 raste që lidhen me pagesa të vonuara. Bordi gjithashtu shqyrtoi klasifikimin dhe kategorizimin e 8 aseteve në përputhje me vendimet paraprake.
“Në mbledhjen e dytë, më 27 mars, Bordi miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të AKP-së për periudhën 2026–2028, i cili u dorëzua në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe pyetësorin e vetëvlerësimit për vitin 2024, i cili po ashtu dorëzohet në MFPT në kuadër të raportimit vjetor. U diskutua gjithashtu lista e aseteve të propozuara për shitje me tender publik përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr. 72 (SHAL 72) dhe u morën vendime për qiradhënien e aseteve dhe transferimin e kontratave ekzistuese”, thuhet në komunikatë, transmeton KosovaPress.
Në kuadër të shqyrtimit të çështjeve pronësore dhe juridike, Bordi thuhet në njoftim se analizoi raportin e komisionit për shitjen e banesave të ndërmarrjeve shoqërore, duke aprovuar dy kërkesa dhe refuzuar pesë të tjera.
“Një ndërmarrje e rëndësishme që ishte në fokus ishte “Bar Bilje” në Zubin Potok, për të cilën u caktua statusi ligjor si Ndërmarrje Shoqërore. Po ashtu, Bordi shqyrtoi dhe miratoi raportin përfundimtar të dorëzuar nga konsorciumi “Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle” LLP, “Grant Thornton Consulting” Doo dhe “Grant Thornton” L.L.C., lidhur me aneks-kontratën për likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore për periudhën 1 korrik – 31 dhjetor 2024”, thuhet në komunikatë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?