Në mëngjesin e sotëm ka humbur jetën një person në një aksident komunikacioni në Komoran.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas Kelanit, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Policia ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:10 të mëngjesit të sotëm, me ç’rast një veturë ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një shtyllë elektrike.

“Rreth orës 08:10 Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një aksident trafiku të ndodhur në autostradën Komoran – Prishtinë. Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur se një veturë dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një shtyllë elektrike. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e emergjencës dhe zjarrfikësit, si dhe është informuar KEDS-i për ndërprerjen e energjisë elektrike”, ka thënë Kelani.

Sipas policisë në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë relevante të cilat po merren me rastin./21Media