Aksidentet me trotinetë, po punohet në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor

Kosova ende nuk ka ligj që rregullon përdorimin e trotinetëve elektrikë, por Komisioni për Mjedis bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit po punon në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Kështu ka bërë të ditur sot deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Deputetja ka informuar se grupi punues e ka draftuar një nen të veçantë që rregullon përdorimin e trotinetëve. Shumë shpejt projekligji do të dërgohet në seancë.
“Ashtu siç edhe mjekët po konstatojnë, lëndimet nga trotinetët mund të jenë serioze prandaj prindërit duhet të kujdesen që fëmijët e tyre të mos dalin në rrugë me trotinetë.”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ndryshe, mjekët Lavdrim Agushi dhe Bensik Ibishi kanë deklaruar se vetëm mbrëmë janë shkaktuar katër lëndime serioze nga trotinetet e vegjël edhe ata elektrikë.
“19 vjeçar me frakturë të bazës së kafkës dhe lëndime tjera serioze, 7 vjeçare duke lozur me trotinet e goditur nga vetura , 21 vjeçare me lëndime të shumëfishta të ekstremiteteve, 4 vjeçar me lëndim-shqyerje të veshit si pasojë e rrëzimit me trotinet.”, ka njoftuar në Facebook Ibishi, i cili ka shpërndarë njoftimin e kolegut Agushi./21Media

Back to top button