Aksidenti me fatalitet në autostradë, kërkohen masa më të ashpra nga organet kompetente

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar pas aksidentit tragjik në Prizren ku humbën jetën tre qytetarë të cilët ishin nga komuna e Gjakovës.

Gjini në një postim në “Facebook”, ka shkruar se është jashtëzakonisht i pikëlluar nga ky lajm.

“Jam jashtëzakonisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të tre djemve të ri nga Gjakova. Kjo ngjarje tragjike ka goditur rëndë 3 familje, por dhimbje për këtë humbje ka sot secili prej nesh. Në emër të qytetarëve të Gjakovës ngushëlloj familjet Syla, Delija dhe Bibaj për humbjen e bijve të tyre”, ka shkruar Gjini.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar për aksidentin e rëndë në Prizren.

Ajo ka thënë se këto vdekje të shkaktuara nga papërgjegjësia dhe veprimi i jashtëligjshëm në trafik mbrëmë, thërrasin për veprime të menjëhershme dhe masa të ashpëra nga organet kompetente.

“Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj janë viktimat e fundit të aksidentit tragjik mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”. Ata humbën jetën nga papërgjegjësia e tjerëve deri sa kishin dalë të shikonin garat me vetura të cilat jashtë ligjit ishin organizuar në autostradë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka thënë se organizimet e tilla duhet të ndalen rreptësisht dhe të merren masa të ashpra.
Kusari- Lila i ka shprehur ngushëllime familjeve dhe miqve të viktimave./21Media

Back to top button