Aksioni “Brezovica 3”, ndalim 48 orësh për 8 të arrestuarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica 3” ku me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme.
Nga aksioni në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, ku fillimisht janë arrestuar 7 persona të dyshuar, 3 prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe 4 pronar të kompanive ndërtimore, ndërsa gjatë ditës është arrestuar edhe 1 person tjetër i dyshuar.
Tetë personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, 3 armë, 1 karikator me 5 fishek të kalibrit 7.65mm, 3 fishek të kalibrit 6.35mm, 20 fishek të kalibrit 7.62mm, 1 kompjuter, 1 veturë X6, 5 telefona, si dhe 1 orë dore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj./21Media

Back to top button