Kaloni te përmbajtja kryesore

Alarm për vdekjet në vendet e punës në Kosovë, 9 të vdekur në vendin e punës për tre muaj të këtij viti

22 vjeçari nga Malisheva i cili vdiq dy ditë më parë si pasojë e lëndimeve të marra përgjatë orarit të punës më 7 prill, është i 9-ti me radhë në listën e të vdekurve në vendin e punës apo si pasojë e lëndimeve të marra në vend të punës.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se përgjatë vitit të kaluar kanë qenë 12 raste të tilla të aksidenteve në vend të punës të cilat përfunduan me fatalitet, por që këtë vit shifrat janë alarmante. Sipas tij, siguria në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur.

“…sipas të dhënave tona ne 2024 kemi 12 raste te vdekjeve ne vendin e punes. Brenda këtij kemi shifrat ma tmerruese sepse që nga 1 janari deri sot kemi 9 raste që d.m.th. është shifër tejet e lartë…”, tha Azemi për rtv21.

Ragip Behrami, pronar kompanie i cili ka mbi 200 punëtorë, ndërtimtaria është sektori me rrezikshmërinë më të lartë.

“…sa i përket masave mbrojtëse, normal ne i shkojmë dhe trajtojmë si një tanësi edhe pajisjet por edhe zhvillojmë trajnime, sepse e kemi vrejtë që ndikojnë shumë mirë në zhvillimin e punëtorëve. Si veprimtari ndërtimi është me rrezikshmëri shumë të lartë dhe me mundësi të ndodhjes së aksidenteve më të shpeshta…”, thekson Behrami për rtv21.

Përgjegjësia është tek të dyja palët vetëm kur të gjitha kushtet janë të plotësuara nga punëdhënësi për punëmarrësin, në të kundërtën barra bie mbi punëdhënësin, deklaron eksperti i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Naim Bajraktari.

“…punëdhënësit mund të themi se janë të vetëdijshëm për pasojat. Kur ndodhë një fatkeqësi ata shumë mirë e dijnë se çfarë pasoja do të ketë. Por pak janë të interesuar për tua bërë kushtet punëtorëve. Vetëdijesimi duhet të jetë se si ti ruajnë punëtorët, vetëdijesimi është në minimum. Nuk marrin masa të sigurisë në punë, masa që kanë kosto minimale. Përgjegjësia është e punëdhënësit më shumë sesa e punëtorit…”, tha Bajraktari.

Ligji për kushtet e sigurisë në punë, ende nuk zbatohet nga një disa ndërmarrje private, sidomos e atyre ndërtimore, ku rastet me fatalitet janë shumë të shpeshta, ndërsa dënimet konsiderohen jo adekuate për rastet që përfundojnë me vdekje në vendet e punës. /RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button