Aliu: Në pranverë nis ndërtimi i ”autostradës së paqes”

Njëra prej 16 pikave të Marrëveshjes së Uashingtonit të arritur një vjet më parë në Shtëpinë e Bardhë, është në proces të zbatimit nga ana e Qeverisë Kurti për ndërtimin e “autostradës së paqes”.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se sa i përket marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e autostradës Besi-Merdar, e që sipas tij pritet të nis së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit dhe ‘Autostradës së paçes’, Kosova ka hyrë në obligime për ta realizuar rrugën Besi-Merdar. Natyrisht që ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet, por është proces që do të përfundojë. Nga ana tjetër i njëjti projekt nënkupton që duhet të realizohet nga pala tjetër(Serbia) e që deri më tani nuk ka pasur fare asnjë… Nuk mund të themi me siguri të madhe, por mendoj që pranvera – do të kemi mundësi të mira për fillimin e asaj autostrade”, tha Aliu.
Këto komente ministri Aliu i bëri në konferencën për media ku akuzoi ish-Qeverinë Haradinaj për parregullsi në procesin e shpronësimit të pronave përgjatë rrugës Kijevë-Zahaq.
Ministri tha se procedurat e shpronësimit kanë ndodhur përtej nevojave të projektit. Derisa theksoi se borxhi i shtetit lidhur me shpronësimet është 182 milionë euro.
“Nga njëra anë i kemi vendimet për fillime të projekteve pa realizuar shpronësimin dhe nga ana tjetër shpronësimet janë bërë për tej të nevojshme. Dhe për pasojë shteti i Kosovës sot është futur në borxhe të mëdha. Pra, kemi rrugë të realizuara dhe në realizim e sipër për të cilat nuk është realizuar asnjë herë procedura e shpronësimit dhe për të cilat sot shteti i Kosovës përballet me gjykata dhe projektet e tilla janë mbi 12, e të cilat shtetit të Kosovës po I sjellin dëme të paparashikuara. Që në fillim të këtij viti borxhi i shtetit lidhur me shpronësimet ka qenë 182 milionë euro, ndërkohë që vazhdojnë të trajtohen këto lëndë nëpër gjykata e ku shteti është i paditur. Vetëm në 6 muajt e fundit si pasojë e vendimeve të gjykatave ky borxh është rritur për 7 milionë euro, dhe ky trend i rritjes po vazhdon”, tha Aliu.
Për vonesën e ndërtimit dhe procesin e ngadaltë të rrugës Podujevë-Prishtinë, ai theksoi se edhe ky projekt është në vështirësi të realizimit si pasojë e shpronësimeve.
“Për rrugën Prishtinë-Podujevë, është e vërtet që shpronësimet janë një nga shkaktarët e problemeve të shumta ose të zvarritjeve për shkak se nuk janë realizuar ato. Mbesin të pa realizuara e presim që me rishikimin e buxhetit të ardhshëm, në vitin që vjen, t’i realizojmë edhe një pjesë të shpronësimeve që kanë të bëjnë me kyçje, nënkalimet dhe mbikalimet që janë në rrugën Prishtinë – Podujevë. Por, për sa i përket trasesë bazë ajo ka qenë e shpronësuar dhe në atë pjesë kanë vazhduar punimet, pra pjesa e trasesë do të përfundojë aty ku ka shpronësim, ndërsa për pjesët ku nuk ka shpronësim do të vazhdohet më pastaj”, theksoi Aliu.
Ndërkohë ministri i Financave Hekuran Murati, gjatë ditës së mërkurë ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë euro.

Back to top button