Aliu: Shpërndarja e buxhetit s’është në proporcion me atë që kontribuojnë komunat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar takim me kryetarët e komunave, të cilëve u ka thënë se duhet të rrisin cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ka theksuar se shpenzimi i buxhetit duhet të jetë transparent. Por, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, pas takimit ka deklaruar se kanë kërkuar nga qeveria ndarje të barabartë buxhetore bazuar në atë që kontribuojnë komunat.
Aliu ka thënë se kanë kërkuar nga Kurti që t’i vizitojë komunat, duke theksuar se nevojitet një bashkërendim në mes të nivelit qendror dhe atij lokal.
“Kemi ngritur shqetësimet që ne kemi pasur, gjithmonë është kërkesë e kryetarëve të komunave të ketë buxhet më shumë, por më shumë se të ketë buxhet është që të ketë një barazi, një ndarje të barabartë në bazë të asaj që paraqesin Komunat e Republikës së Kosovës. Sigurisht, se i kemi dhënë vërejtjet si kryetarë komunave por në të përgjithshmen kemi kërkuar gjithnjë më shumë për disa problematika të veçanta që shpesh ne edhe kur marrim para apo kur kemi projekte nuk kemi si të investojmë, pra bëhet fjalë për pronat e AKP-së. Ne kërkojmë një qasje më të përgjegjshme dhe një qasje më të përgjegjshme në kuptimin e dhënies dhe në shfrytëzim të pronave të AKP-së, sepse shpesh investimet tona publike dhe projektet që mund të na japë Qeveria e Kosovës, pasi që po bëhet fjalë për buxhetin, ndonjëherë ndoshta nuk mund t’i realizojmë edhe për këto arsye”, ka thënë ai.
Aliu, i cili drejton Komunën e Ferizajt, ka bërë të ditur edhe një kërkesë specifike që i ka drejtuar qeverisë.
“Ajo që ne (Ferizaj) kontribuojmë për buxhetin nuk është në proporcion të drejtë shpërndarja buxhetore, prandaj me të drejtë edhe Komuna e Ferizajit dhe të tjerat kërkojmë që kjo qasje të ndryshojë dhe të ketë një ndarje më të barabartë. Kërkuam nga Qeveria, sepse e ka hequr nga agjenda grantin e katërt për Komuna ku aty nuk ka ndërhyrje pastaj, nuk ka varshmëri nga ajo se kush është kryeministër, por është në pyetje ligji për grantin e katërt dhe ne kërkojmë që ai të rikthehet sepse ka qenë në agjendë dhe vitin 2022 është hequr nga agjenda, pikërisht në shtatorin kur ne edhe jemi takuar me kryeministrin. Pra, në mënyrë që kryetarët të jenë më të kënaqur, sigurisht që zgjidhja adekuate për ndarje buxhetore është ligji për grantin e katërt, respektivisht ligji për financat lokale”, ka shtuar ai.

Back to top button