Ambasadorët e BE-së çojnë përpara procesin e liberalizimit të vizave

(Lajm i përditësuar)
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka cilësuar si hap të rëndësishëm vendimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE’së që ranë dakord për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Duke adoptuar mandatin në takimin e sotëm të ambasadorëve, Këshilli ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për liberalizimin e vizave me Kosovën”, thuhet në reagimin e Presidencës çeke pas marrjes së këtij vendimi.
Ajo thotë se Këshilli tash do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin për të finalizuar tekstin.
Presidenca çeke, duke shtuar se mirëpret marrëveshjen e arritur në nivelin e Këshillit, tha se vlerëson përpjekjen e të gjithë aktorëve relevantë në arritjen e këtij rezultati.
Po ashtu, Presidenca çeke pati një thirrje për Kosovën.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka qenë prioritet për Presidencën çeke gjatë udhëheqjes.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet tona të politikës së jashtme gjatë presidencës sonë. Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin. Jam i bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së”.
Ambasadorët e BE-së çojnë përpara procesin e liberalizimit të vizave 
Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian këtë të mërkurë kanë rënë dakord për mandatin negociues të Këshillit për rregullacionin për udhëtimin pa viza për qytetarët që mbajnë pasaporta të Kosovës.
Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit do të fillojë negociatat me Parlamentin Evropian.
“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian që shpejt këtë premtim ta bëjmë realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjeljet e Kosovës për të forcuar kufirin e vet, menaxhimi i migrimit dhe siguria, dhe ne i besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të rritet në të ardhmen”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme të Cekisë, Jan Lipavsky.
Rregullat do të lejojë kosovarët që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë 90 ditore në çdo cikël 180 ditor.
Nën pozitën e Këshillit, sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Në njoftimin e Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën thuhet se Kosova ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes. Në bazë të këtyre rezultateve, Komisioni kishte propozuar heqjen e vizave për kosovarët.

Back to top button