Ambasadori amerikan takon krerët e Vetëvendosjes

Pas një sërë takimesh me diplomatë të vendeve perëndimore, sonte një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje ka takuar ambasadorin amerikan Greg Delawie. Takimi është zhvilluar në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Ambasadori citohet të ketë thënë se “Washingtoni do të bashkëpunojnë me atë qeveri që i siguron numrat, pra 61 deputetë”.

Pas suksesit në zgjedhjet elektorale të së dielës, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje (VV) dyfishoi numrin e votuesve, të mërkurën në mbrëmje një delegacion i VV i përbërë nga kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe kryetari i VV, Visar Ymeri, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Greg Delawie. Takimin e kanë konfirmuar për ‘dialogplus’ disa pjesëmarrës si dhe burime ndërkombëtare.

“Në takim u lavdërua procesi zgjedhor, ndërsa delegacioni i VV e njoftoi ambasadorin se çfarë mendon Lëvizja Vetëvendosje të ndërmarrë në qeverisje me 40 pikat e programit të saj”, tha njëri nga pjesëmarrësit në takim.

Ambasadori Delawie, sipas këtij burimi, ka deklaruar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të bashkëpunojnë me atë qeveri që i siguron numrat, pra 61 deputetë”.

Të martën Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri janë takuar me ambasadorët e Francës dhe Italisë, ndërsa të mërkurën janë zhvilluar takime me ambasadorin e Britanisë së Madhe dhe me shefen e EULEX-it, Nataliya Apostolova. Të hënën delegacioni i Vetëvendosjes ka takuar edhe ushtruesen e detyrës së ambasadores së Gjermanisë (chargé d’aaires) në Kosovë.

Po ashtu, burime të Periskopit brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë konfirmuar takimin me ambasadorin Delawie, duke mos dhënë detaje për çfarë është folur.

Back to top button