Ambasadori gjerman: Dëshpëruese që nuk po votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike

 

 

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është mjaft dëshpëruese që Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike edhe pas herës së pestë nuk është kaluar në Kuvend.

Nëpërmjet një shrimi në Twitter, ambasadori tha se ajo që duhet urgjentisht nga gjithë përgjegjësit është fryma e kompromisit.

“Lufta kundër efekteve negative në ekonomi të shkaktuara pandemia është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të përbashkët. Në këtë aspekt është mjaft dëshpëruese dhe sipas njohurive të mia edhe rast unik në Evropë të shoh këtë…se për herë të 5-të në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur marrëveshje për draft-ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Ajo që duhet urgjentisht nga gjithë përgjegjësit është fryma e kompromisit. Qytetarët e Kosovës me të drejtë e presin këtë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës, për herë të katërt, nuk arriti të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 korrik, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Me të synohet që, përmes politikave fiskale dhe monetare, t’iu dilet në ndihmë bizneseve që kanë pësuar humbje nga masat e ndërmarra për frenimin e pandemisë. Ky projektligj po ashtu synon t’iu mundësojë qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës./21Media 

Back to top button