Ambasadori gjerman-Rakiqit: Krahasimi i aksionit të sotëm me “Natën e Kristaltë” është i papranueshëm

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde ka reaguar ndaj ministrit serb të Kosovës, Goran Rakiq, i cili aksionin e sotëm të policisë dhe doganës në pjesë të ndryshme të vendit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar e ka krahasuar me “Natën e Kristaltë” (pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve).
Këtë krahasim nga Rakiq, ambasadori gjerman e ka quajtur të papranueshëm. Sipas Rohde, krahasime të tilla kontribuojnë drejt rrëfimeve të shtrembërimit dhe mohimit të Holokaustit.


“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur të na marrin vetëm edhe ajrin. Kjo ka qenë si Nata e Kristaltë për ne”, citohet se ka thënë Rakiq gjatë takimit në Rashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sot është realizuar një operacion policor kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në veri të Mitrovicës grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Back to top button