Ambasadori gjerman thotë së është vonuar zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Crmaon dje deklaroi se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit është vonuar. Me deklaratën e raportueses po pajtohet edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili shkroi se zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga që duhet ndjekur.
“Plotësisht pajtohem: Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 është shumë i vonuar siç ka kujtuar Gjykata së fundmi. Zbatimi arbitrar i shtetit të së drejtës nuk është rruga përpara”, shkroi Rohde në Twitter.
Mirëpo, ndaj raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, reagoi Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan dhe i kujtuan eurodeputetes se vendimi për pronat është antikushtetues dhe antiligjor dhe si i tillë nuk mund të zbatohet.
Pesë vjet më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të.

Back to top button